Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se në fillim të kësaj jave ka organizuar një drekë për të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, së bashku me ekipin e saj, me rastin e Ditës së Falënderimeve.
Kurti ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që një takim i tillë mbahet në këtë format, pas atij të vitit të kaluar kur ai pati mirëpritur ish-ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier. Sipas tij, synimi është që kjo të shndërrohet në një traditë shumëvjeçare në raportet mes institucioneve të Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së.
Kryeministri në detyrë ka theksuar mirënjohjen e thellë të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara për kontributin historik në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit, si dhe për partneritetin e vazhdueshëm mes dy vendeve.
“Jemi gjithmonë thellësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për kontributin historik në lirinë tonë, për rolin në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë sonë, edhe për partneritetin mes dy vendeve tona”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu ka uruar popullin amerikan me rastin e Ditës së Falënderimeve.




