Kryekuvendari tha se 28 Nëntori është ditë e shenjtë për shqiptarët.

“Sot festojmë Ditën e Flamurit, një ditë të shenjtë që i bashkon shqiptarët gjithandej, përtej çdo kufiri, përtej çdo oqeani. Sot në Prekazin e lavdishëm, festojmë gjithashtu ditën e shenjtë ku kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu  ngriti flamurin në Lezhë në vitin 1443. Sot festojmë ditën e shpalljes së pavarësisë dhe ngritjen e dykrenares në Vlorë. Sot gjithashtu festojmë daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga heroi ynë Mujë Krasniqi, gjeneralët Daut Haradinaj e Rexhep Selimi. Dhe gjithashtu, sot festojmë ditëlindjen e Adem Jasharit, komandantit legjendar  të UÇK-së”, tha Basha, pas homazheve.

Ai tha se Prekazi është një nga vendet më të shenjta në trevat shqiptare.

“Pra, kjo është një ditë festash për shqiptarët kudo që ndodhen është një ditë e shenjtë për ne dhe shqiptarët nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga mërgata që vijnë dhe festojnë këtu në Prekazin e lavdishëm, një nga vendet më të shenjta në trevat shqiptare. Qofshim të bashkuar gjithmonë”, deklaroi Basha.