Parlamenti Studentor ka njoftuar se afatet e rivlerësimit në Universitetin e Prishtinës do të zhvillohen në Nëntor dhe Prill për të gjithë studentët, pa marrë parasysh fakultetin ku studiojnë. Kjo periudhë dyvjeçare tranzitore synon të sigurojë barazi dhe mundësi të njëjta për të gjithë studentët.
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar një marrëveshje të rëndësishme me Rektoratin, e cila vjen në dobi të të gjithë studentëve të UP-së. Sipas njoftimit, është miratuar një periudhë dyvjeçare tranzitore për afatet e rivlerësimit në muajt Nëntor dhe Prill.
Pas votimit në Senat, këto afate do të zbatohen në të gjitha njësitë akademike të universitetit gjatë kësaj periudhe, me qëllim të sigurimit të barazisë dhe qasjes së njëjtë për të gjithë studentët, pavarësisht fakultetit ku studiojnë.
Parlamenti Studentor falënderon Rektorin Prof. Arben Hajrullahu dhe Prorektorët Adem Beha e Majlinda Zhitija Gjelaj për bashkëpunimin dhe përkrahjen e kërkesave studentore, si dhe të gjitha organizatat studentore që kontribuan në këtë proces.
“Parlamenti Studentor do të vazhdojë të jetë zë i kërkesave të të gjithë Studentëve të Universitetit, pa dallime!”, theksohet në njoftim.



