Në Kosovë, gjithnjë e më shumë fëmijë po u qasen rrjeteve sociale në moshë të hershme, shpesh duke anashkaluar kufizimet ligjore dhe rregullat e sigurisë. Ndërsa platformat digjitale po bëhen pjesë e pandashme e jetës së tyre, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që vijnë nga përdorimi i pakontrolluar dhe mungesa e mbikëqyrjes.
Në një periudhë kur rrjetet sociale po ndikojnë në përditshmërinë e të rinjve, shqetësimet për sigurinë, moshën minimale dhe përmbajtjen e papërshtatshme po rriten. Në Kosovë, ashtu si në vendet e tjera evropiane, fëmijët i qasen platformave digjitale që në moshë të hershme.
“Prej rrjeteve sociale i përdori shumicën këto më të përdorura si Instagramin, Snapchatin edhe Facebook-un nganjëherë për lajme të shkollës. Po diku nga mosha ndoshta 11-12 vjeçare e kam hap një Instagram, por pastaj shpejt e kam mbyll sepse nuk mu ka dashur aq shumë”, tha Sara Gashi, nxënëse.
Për shumë të rinj, rrjetet sociale nuk janë vetëm hapësirë argëtimi, por edhe burim informacioni, edhe pse jo gjithmonë i verifikuar.
“Prej Instagramit, Snapchatit, TikTok-ut e Facebook-ut krejt përmbajtja që ofrojnë të nxitë me qenë përdoruese e tyre. Ka video shumë argëtuese për moshën tonë, por edhe përmbajtje më serioze. Kam filluar me i përdor prej moshës 13-14 vjeç. I përdori, por nuk jam shumë aktive duke postuar”, tha Fatbardha Curri, nxënëse.
“Diku rreth 2-3 orë në ditë i kaloj në rrjete sociale. Më së shumti në Instagram e TikTok sepse përmbajtja më duket atraktive dhe më nxit t’i ndjek më shpesh”, tha Anisa Rrukiqi, nxënëse.
Ekspertët e marketingut thonë se numri i të rinjve aktivë në rrjete sociale është më i madh sesa tregojnë statistikat.
“Facebook është me më së shumti përdorues në Kosovë, rreth 730 mijë. Por mosha 13-15 vjeç nuk del shumë prezente, shpesh sepse përdorin llogari të prindërve. Në Instagram janë rreth 726 mijë përdorues, ndërsa të regjistruar në moshën 13-15 vjeç, vetëm rreth 3 mijë një numër që s’është real, sepse të rinjtë e përdorin shumë. Ndërkohë Snapchat ka rreth 51 mijë përdorues në këtë grupmoshë. TikTok-u është edhe më i vështirë për t’u matur, sepse mund ta përdorësh edhe pa hapur llogari”, tha Kaltrina Jashari, eksperte e rrjeteve sociale.
Për kontrolluesit e fakteve, hapja e llogarive me të dhëna të pasakta i ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre.
“Të miturit në Kosovë, zakonisht hapin llogari në mediat sociale duke dhënë data të rreme të lindjes e pastaj ju shfaqen përmbajtje që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. Shumë shpesh janë përmbajtje plus 18. Ne e dimë që rrjetet sociale tash mbështeten në Inteligjencës Artificiale edhe algoritmi pastaj ju shfaq atyre përmbajtje të tilla, ju sugjeron gjatë gjithë kohës”, tha Fatbardh Dema, kontrollues i fakteve në ‘Hibrid’.
Sociologët thonë se mungesa e rregullimit ligjor i ekspozon të rinjtë ndaj rreziqeve psikologjike dhe formave të abuzimit online.
“Pasojat i dimë të gjithë, janë të natyrave të ndryshme duke filluar nga niveli psikologjikë, varshmëritë, çrregullimet e ndryshme që krijohen, me theks të veçantë, kur bëhet fjalë tek grupmoshat të reja të cilat do të duhej të përcillen me më afër dhe më me kujdes në zhvillimin e tyre. Por në anën tjetër përtej këtij aspekti individual dhe psikologjik për neve si sociolog, është shqetësuese gama e dukurive negative dhe mënyra e abuzimit se si bëhet nga rrjetet e caktuara me ata përdorues të cilët janë të pambrojtur”, tha Dhurata Prokshi, sociologe.
Sipas saj mungesa e një kornize të një mekanizmi i cili e rregullon përdorimin e tyre, e krijon hapësirën që edhe ajo të keqpërdoret nga të rinjtë dhe të rejat.
Këshilli i Prindërve rikujton se tash e dy vjet ka kërkuar ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla.
“Ne si Këshill i Prindërve kemi bërë kërkesës rreth dy vite më parë për ndalimin e telefonave nëpër shkolla si dhe me Udhëzim Administrativ e Ministrisë së Arsimit, është kërkesë në të gjitha DKA-të në nivel të Kosovës ndalimi i përdorimit të telefonave”, tha Enver Balaj, sekretar në Këshillin e Prindërve.
Ndërkohë, Australia ka miratuar zyrtarisht ligjin e parë në botë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç. Vendimi historik hyn në fuqi më 10 dhjetor 2025, duke e bërë Australinë pionere globale në mbrojtjen digjitale të të miturve.
Edhe Parlamenti Evropian ka vendosur që mediat sociale duhet të lejohen vetëm nga mosha 16-vjeç. Sipas një deklarate nga Parlamenti Evropian, fëmijëve 13 deri në 16 vjeç duhet t’u lejohet qasja vetëm me pëlqimin e prindërve të tyre. Raporti i miratuar, i cili ende nuk është detyrues, gjithashtu bën thirrje për të bërë më shumë për t`i luftuar faktorët që krijojnë varësi dhe strategjitë manipuluese.



