Në Sallën e Kuvendit të Komunës është mbajtur sot sesioni publik për prezantimin e profilit ekzistues të Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt. Në hapje të këtij sesioni morën pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Arbër Bytyqi, drejtorë të drejtorive komunale, si dhe përfaqësues të kompanisë INSI.
Në një njoftim në rrjetet sociale bëhet e ditur se gjatë hapjes zyrtare të këtij konsultimi publik, kryetari Aliu theksoi se ky proces është një ndër më të rëndësishmit për komunën.
“Sot nis një epokë e re, një kapitull i ri për Ferizajn, i cili duhet të ketë përmbajtjen dhe dimensionin e zhvillimit që tashmë ka marrë qyteti. Ferizaj është qyteti i tretë për nga numri i banorëve dhe i dyti për nga zhvillimi ekonomik. Por, Ferizaj tashmë ka edhe një epitet tjetër – epitetin e pushtuesit të lartësive, sukseseve dhe fitoreve; pushtuesit të modelit të transformimit dhe të mënyrës se si duhet të ecë përpara një qytet,” tha Aliu.
Ai falënderoi qytetarët për kontributin e vazhdueshëm gjatë viteve, i cili ka ndikuar në transformimin urban të Ferizajt, duke theksuar se Plani Zhvillimor Komunal është dokument i rëndësishëm strategjik për të ardhmen e qytetit.
“Ky dokument duhet të ketë vizionin e duhur, në mënyrë që edhe kur unë të mos jem më kryetar, pasardhësi im të ketë rrugën e trasuar për të punuar për gjeneratat që vijnë,” shtoi kryetari Aliu.
Për rëndësinë e procesit foli edhe drejtori i Urbanizimit, Arbër Bytyqi, i cili theksoi se PZHK është një ndër dokumentet më të rëndësishme strategjike të Komunës së Ferizajt.
Në këtë takim, përfaqësues të kompanisë INSI, e cila është kontraktuar për hartimin e PZHK-së, sqaruan se qëllimi i sesionit ishte informimi i qytetarëve për fazat e hartimit të planit, metodologjinë e punës, si dhe kornizën ligjore dhe institucionale që e rregullon këtë proces.
Plani Zhvillimor Komunal do të hartohet përmes disa fazave, duke garantuar transparencë të plotë për qytetarët dhe të gjitha grupet e interesit.



