Për herë të parë në Kosovë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, është realizuar zëvendësimi i harkut të aortës përmes procedurës së njohur ndërkombëtarisht Frozen Elephant Trunk (FET).
Sipas SHSKUK-së, krahas saj, mjekët kanë kryer edhe zëvendësimin e rrënjës së aortës, të njohur si Bentall procedurë.
“Pacienti para dy vite kishte disekacion akut të aortës (çarje të aortës) dhe ka pasur intervenim kardiokirurgjik duke bërë zëvendësimin e pjesës ascendente të aortës në një qendër jashtë Kosovës. Me kalimin e kohës sëmundja ka evoluar dhe është paraqitur nevoja për ri ndërhyrje (Redo OP) kirurgjike për shkak të zgjerimit të rrënjës së aortës, harkut të aortës, si dhe dëmtimit të valvulës aortale”, ka bërë me dije përmes një njoftimi Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
Ekipi operues u udhëhoq nga Prof. Dr. Omer Xhemali, drejtor në Kardiokirurgjinë e Spitalit Universitar të Cyrihut dhe udhëheqës i Aleancës për Kardiokirurgji në Cyrih, së bashku me Dr. Petar Risteski dhe anesteziologen Dr. Bettex Dominique. Ata punuan në bashkëpunim të ngushtë me ekipin vendor të kardiokirurgëve dhe anesteziologëve të QKUK-së për të realizuar me sukses këtë operacion kompleks dhe të avancuar.
Ndërhyrje të tilla konsiderohen ndër më të vështirat në kardiokirurgji dhe zakonisht kryhen vetëm në qendra të specializuara me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ky operacion shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.
QKUK thotë se bashkëpunimi me qendra të njohura ndërkombëtare, si Spitali Universitar i Cyrihut, është pjesë e përpjekjeve për të sjellë metoda të avancuara kirurgjikale që në të ardhmen do të bëhen pjesë e praktikës së rregullt në vend.
Stafi i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë njofton qytetarët se për çdo nevojë që lidhet me sëmundjet e zemrës, ata mund t’i drejtohen QKUK-së, pa qenë e nevojshme kërkimi i trajtimeve në qendra të tjera jashtë vendit.




