Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se ka filluar përgatitjet për organizimin e Forumit të Përbashkët Ekonomik Kosovë–Slloveni. Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, priti në takim Bajram Fushën, drejtor i EAC Slovenian Business Club, me të cilin u diskutua për hapat e koordinimit dhe strukturimin e agjendës së këtij forumi.
Sipas njoftimit, qëllimi i forumit është krijimi i një platforme të fortë komunikimi ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, me fokus në nxitjen e partneriteteve të reja dhe hapjen e mundësive për projekte të përbashkëta investive.
OEK vlerëson se forume të tilla janë thelbësore për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për rritjen e investimeve, duke e pozicionuar Odën si një urë strategjike ndërmjet sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas institucionit, kjo nismë pritet të krijojë hapësirë të re për bizneset kosovare në tregun slloven dhe më gjerë.




