Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” ka mbajtur konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka theksuar se në mesin e mbi 350 pjesëmarrësve pjesë të kësaj konference janë edhe 30 fermerë nga Shqipëria të cilët kanë nisur kultivimin e mjedrës sipas modelit të Kosovës.
“Kosova e sotme është një histori suksesi që po forcohet nga viti në vit… Kjo klimë e stabilitetit, transparencës dhe parashikueshmërie është arsyeja pse sektori i frutave të imta, mjedra, dredhëza e boronica po gjejnë tregje të reja, çmime më të qëndrueshme e kontrata afatgjata, duke e kthyer suksesin ekonomik e demokratik në të ardhura të prekshme për familjet tona”, ka thënë ai.
“Një premtim nga qeveria, do të jem partner jo spektator”, u premtoi ai fermerëve.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Bujqësisë, Imri Demelezi, tha se janë investuar nga qeveria ndihmë për mbi 1 milionë hektarë me mjedra.
“Është platformë e nivelit evropian, mjedra si një kulturë e re tregon një histori suksesi dhe shembull edhe për sektorët tjerë. Duke marrë si shembull për përfitime që po marrim nga njëri tjetri duke parë suksesin në sektorin e mjedrave por edhe sektorëve tjera që nga janari do të fillojmë me diskutime për konferencat në bujqësi. Do te jemi të parët në rajon për javën e konferencave të bujqësisë sepse e kemi këtë mundësi, na dha natyra, do të bëjmë investim në inovacion dhe zhvillim. Përkrahja jonë si Qeveri duhet të vazhdojë tutje me fokus të shtuar, falë këtij angazhimi sot bujqësia është e fortë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq drejtoresha e Caritas Switzerland, Rita Glavitza, tha se konsistenca e organizimit të kësaj konference për 10 vjet dëshmon qëndrueshmërinë.
“Ajo përfaqëson 10 cikle mbjelljeje, 10 sezone korrjesh dhe 10 vite përballimi sfidash së bashku. Që nga konferenca e parë e Mjedrës, Caritas Switzerland ka qenë krenare të ecë në këtë rrugëtim me fermerët e Kosovës”, ka theksuar ajo.




