Një 53-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në fshatin Koshtovë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se në aksident janë përfshirë dy vetura.
“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Koshtovë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasojë fataliteti. Në aksident janë përfshirë dy vetura, ku përveç dëmeve materiale, lëndime të rënda ka pësuar drejtuesja e njërës prej veturave, e cila është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Jugut”, ka bërë të ditur Zahiti.
Ai ka shtuar se pak më vonë ka ardhur konfirmimi për vdekjen e saj.
“Rreth orës 16:20, autoritetet mjekësore të Spitalit Rajonal të Mitrovicës kanë njoftuar se e lënduara drejtuesja e veturës, rreth 53-vjeçare, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”, ka deklaruar ai.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.




