Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konfirmuar se inaugurimet do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Procedurat ligjore dhe administrative të kalimit të pushtetit në komunat veriore nuk dallojnë nga ato të komunave tjera në vend, pasi të gjitha institucionet komunale janë të obliguara të respektojnë të njëjtat rregulla për vetëqeverisjen lokale.

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka theksuar për RTKlive se MAPL ka përgatitur të gjitha ftesat zyrtare për seancat inauguruese duke respektuar në tërësi afatet ligjore, simbolet shtetërore dhe simbolet komunale, si dhe rregullat për dy-gjuhësinë zyrtare.

Sipas tij, ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ai ka nënvizuar se në komunat veriore inaugurimi do të zhvillohet pa asnjë përjashtim sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, përfshirë respektimin e simboleve shtetërore dhe dy-gjuhësisë zyrtare.

“Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë të obliguara të respektojnë Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisjen lokale gjatë procesit të inaugurimit dhe kalimit të pushtetit nga kryetarët aktualë te kryetarët e rinj”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.

“Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai për RTKlive.

Të premten, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan do t’ua dorëzojnë detyrën kryetarëve të rinj që vijnë nga Lista Serbe.