Federica Mogherini ka dhënë dorëheqje nga posti i rektores së Kolegjit të Evropës.
“Në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë më të madhe me të cilën kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen si rektore”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit të Komitetit Ekzekutiv të Kolegjit.
Ish-kryediplomatja e Bashkimit Evropian është akuzuar zyrtarisht në lidhje me një rast të dyshuar për mashtrim, që lidhet me një program trajnimi të financuar nga BE-ja për diplomatë të rinj.
Përveç postit të rektore, Mogherini ishte edhe drejtoreshë e Akademisë Diplomatike – institucion që është objekt hetimi.
Së bashku me të, akuza është ngritur edhe ndaj Stefano Saninos, diplomatit italian dhe zyrtarit të lartë në institucionet evropiane, si edhe ndaj një personi tjetër.
Sanino ka vendosur të marrë pushim deri në fund të vitit dhe më pas të pensionohet. Ai konsiderohet si një nga figurat me ndikimin më të madh në strukturat e BE-së.
Mogherini, Sanino dhe individi i tretë u morën në pyetje të martën nga autoritetet belge. Ata janë informuar formalisht për akuzat dhe më pas janë liruar nga paraburgimi, pasi nuk konsiderohen rrezik për arratisje, sipas prokurorit.
Këtyre zhvillimeve u parapriu një bastisje të martën në ambientet e Kolegjit të Evropës dhe në ndërtesën e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së. Bastisje janë kryer gjithashtu edhe në shtëpitë private të të dyshuarve.
Akuzat lidhen me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ato kanë të bëjnë me procesin e krijimit të Akademisë Diplomatike për trajnimin e diplomatëve të rinj evropianë, tender i cili ishte fituar nga Kolegji i Evropës.
Hetimet synojnë të zbulojnë nëse Kolegji i Evropës ka qenë i informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes në tender dhe nëse i ishte dhënë sinjal se projekti do t’u jepej atyre para publikimit zyrtar të thirrjes.
Ky rast konsiderohet si një nga skandalet më serioze që ka goditur institucionet evropiane në vitet e fundit.




