atsh
Ekspozita e përbashkët “Dhomat e Vizatimit”, një koleksion i veçantë me 87 grafika dhe vizatime nga 24 artistë shqiptarë historikë dhe bashkëkohorë, u hap mbrëmë në Tiranë.
Ekspozita, e kuruar nga Alba Sgarbi dhe Artan Shabani, me koordinator Matias Shabanin, do të qëndrojë e hapur nga 4 dhjetor 2025, deri më 28 janar 2026, në hapësirën e re të Galerisë MAG në Tiranë.
Mbrëmë, vizitorët përjetuan një udhëtim artistik që përfshin pothuajse dy shekuj krijimtarie mbi letër grafika, vizatime, pastele, ku ndërthuren teknikë, ndjesi dhe tradita të ndryshme të artit shqiptar. Ekspozita vendos theksin mbi procesin e krijimit, ndikimet historike dhe dialogun që krijohet mes artistit dhe shikuesit përmes shenjës grafike.
Në sallat e galerisë vihen re lidhje stilistike e tematike mes veprave, duke krijuar një hapësirë kontemplative dhe intime, ku forma, ngjyra dhe figura marrin një simbolikë të re.
Vepra të artistëve të afirmuar si Zef Shoshi, Sofia Zengo Papadhimitri, Ksenofon Dilo, Guri Madhi, Bujar Zajmi e shumë të tjerë, ndërthuren me krijime bashkëkohore, duke sjellë një panoramë të pasur mbi zhvillimin e vizatimit në Shqipëri.
Ekspozita ndalet edhe te historia e këtij zhanri në vend, duke kujtuar fillesat e Shkollës së vizatimit të vitit 1931, me pedagogë si Mario Ridola, Andrea Kushi, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci e të tjerë, si dhe rolin e tyre në formimin e brezave të parë të artistëve shqiptarë.
“Dhomat e Vizatimit” përbën një nga projektet më të rëndësishme të Galerisë MAG, duke sjellë për herë të parë bashkë vepra të rralla të këtij formati në një ekspozitë të vetme.
Ekspozita në hapjen zyrtare u prit me interes të veçantë nga artdashësit dhe komuniteti kulturor i kryeqytetit.




