Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar klubin e futbollit Drita në Gjilan.
Drita është kampion në fuqi në Superligën e Kosovës, ndërsa në këtë edicion po luan edhe në Conference League, ku pas disa paraqitjeve të mira ka shumë mundësi që të kalojë edhe në fazën e “play off”.
Osmani e ka përgëzuar skuadren gjilanase për suksesin. “Vizituam edhe klubin e futbollit “Drita”, të cilët i përgëzova për rezultatet në nivel shtetëror, e posaçërisht në garat evropiane, në të cilat po na bëjnë krenarë të gjithëve”, ka shkruar Osmani.
Ndërkohë edhe te Drita janë shprehur për vizitën. “Sot patëm nderin dhe privilegjin të presim në FC Drita në një vizitë historike Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, si dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni. Kjo ishte një nga vizitat më të rëndësishme në historinë e klubit tonë, një moment që na mbushi me krenari dhe motivim të jashtëzakonshëm. Prania e Presidentes në ambientet tona është vlerësim i madh për punën, përkushtimin dhe rolin që FC Drita ka në zhvillimin e sportit, komunitetit dhe rinisë. Ky takim na inkurajon të vazhdojmë rrugëtimin tonë me edhe më shumë energji dhe përgjegjësi. Në emër të klubit, lojtarëve, stafit dhe gjithë tifozëve bardhekaltër, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për këtë vizitë. Faleminderit Presidente! FC Drita do të mbetet gjithmonë shtëpia e vlerave dhe suksesit.”, ka shkruar klubi nga Gjilani.




