Dhuna në familje po paraqitet si një prej problemeve më serioze shoqërore. Gjatë 24 orëve të fundit, rastet e raportuara në stacionet policore tregojnë një trend alarmues të konflikteve brenda familjes, përfshirë dhunë psikike, kanosje, sulme fizike dhe raste ku viktimat janë vënë nën presion emocional nga ish-partnerët apo anëtarë të tjerë të familjes.
Rastet janë raportuar në disa komuna të vendit, përfshirë Prishtinën, Podujevën, Fushë Kosovën, Gjakovën, Malishevën, Mitrovicën dhe Leposaviqin. Viktimat në shumicën e rasteve janë gra, por janë evidentuar edhe raste ku dhuna ka ndodhur mes vëllait e motrës, si dhe midis prindit dhe fëmijës.
Policia ka arrestuar disa nga të dyshuarit, disa janë ndaluar deri në këndellje për shkak të ndikimit të alkoolit, ndërsa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit. Numri i madh i rasteve brenda një periudhe kaq të shkurtër pasqyron qartë një situatë të rënduar sociale, e cila kërkon vëmendje të shtuar institucionale dhe ndërhyrje efektive.
Sipas policisë, në Prishtinë një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti e ka shqetësuar dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Të dy janë intervistuar dhe më pas janë liruar, ndërsa rasti është në procedurë të rregullt.
Në Podujevë është arrestuar një burrë që kishte kanosur bashkëshorten përmes telefonit. Edhe pse është inicuar rasti, ai është liruar me vendim të prokurorit. Po ashtu, një grua ka raportuar dhunë nga bashkëshorti i saj, i cili, nën ndikim të alkoolit, kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe familjes.
Në Fushë Kosovë policia ka arrestuar të dyshuarin lidhur me një rast të raportuar një ditë më parë, ndërsa në Gjakovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga ish-burri i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i pazakontë është raportuar në Malishevë, ku një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga ish-nusja e djalit të saj. E dyshuara është intervistuar dhe më pas është liruar me vendim të prokurorit. Rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.
Raste të dhunës në familje janë raportuar edhe në Mitrovicë dhe Leposaviq.
Në Mitrovicë një grua ka njoftuar policinë se vëllai e ka sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje të çastit, ndërsa në Leposaviq një grua është sulmuar nga djali i saj. Në të dyja rastet, të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa në Leposaviq i dyshuari është dërguar edhe në mbajtje me vendim të prokurorit.
Bilanci i rasteve të raportuara brenda vetëm 24 orëve tregon një situatë tejet shqetësuese, ku dhuna në familje po përhapet në mënyrë të vazhdueshme nëpër komuna të ndryshme të vendit.




