Më 10 dhjetor në Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe më 12 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet komedia “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, me regji të Agon Myftarit.
Komedia “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Agon Myftarit sjell një rrëfim të mprehtë, plot humor, situata absurde dhe të vërteta që i takojnë realitetit tonë artistik e shoqëror.
Pak para shpalljes së pavarësisë, Teatrit i kërkohet të përgatisë një shfaqje solemne për nder të ditës historike, ndonëse institucionet janë të paqarta dhe presioni politik i lartë. Përplasja mes kërkesave të mëdha dhe realitetit të teatrit, me ego artistësh dhe kaos organizativ, krijon një komedi që kritikon politikën, artin dhe shoqërinë e asaj kohe.



