Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja derisa foli për 50 vjetët e punës së Akademisë tha se ASHAK-u ndau fatin e vështirë të historisë e gjeografisë së vendit të vetë.

“Bashkë me këtë histori duhet bërë të ditur se Akademia u themelua si e Kosovës dhe e tillë mbeti deri në ditët e sotme, dhe e tillë do të jetë edhe në të ardhmen në të gjitha fazat e zhvillimit të punës së saj. Ajo ndau fatin e vështirë të historisë e gjeografisë së vendit të vetë. Akademia u quajt e Kosovës dhe bashkë me vendin ku u themelua i bëri 50 vjet jetë në një rrugë të vështirë të emancipimit e lidhur ngushtë me vlerat më të larta të humanizmit, mendimit të lirë dhe të progresit. Themelimi të akademisë i kanë paraprirë disa rrethana specifike të zhvillimeve shoqërore e politike në vend”, tha Kraja.

Ai tha se sfida më e madhe e Akademisë së Kosovës mbetet konsolidimi dhe pavarësia e saj institucionale.

“Historia e saj është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit të Kosovës duke qenë jo vetëm mbështetëse e të gjitha proceseve politike që e quan Kosovën drejt pavarësisë, ndonjëherë edhe ideatorë e këtyre lëvizjeve me interes për shoqërinë dhe emancipimin e saj shoqëror e kulturor”, tha Kraja.

ASHAK shënon 50-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne në Prishtinë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka shënuar sot, më 10 dhjetor 2025, 50-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne të mbajtur në mjediset e saj në Prishtinë, ku morën pjesë personalitete të larta shtetërore, përfaqësues të akademive të vendeve të rajonit dhe Evropës, si dhe komuniteti akademik dhe artistik i vendit.

Ceremonia u hap në orën 11:00 me fjalën përshëndetëse të kryetarit të ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja. Në vijim, fjalë rasti mbajtën presidentja e Republikës së Kosovës, SH.S.Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bajram Begaj, Kryeministri ne detyre i Kosoves Albin Kurti si dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skender Gjinushi.

Në kuadër të hapjes u prezantua edhe një program i shkurtër artistik nga violinistja Sihana Badivuku dhe pianistja Zana Badivuku-Basha, të cilat i dhanë ceremonisë një ton solemn dhe festiv.

Pjesëmarrja ndërkombëtare

Në emër të akademive partnere ndërkombëtare, fjalë përshëndetëse mbajtën:

Prof. Marie Louise Nosch, nënkryetare e ALLEA-s

Prof. Dr. Peter Štih, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë

Dr. Ljubiša Stanković, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi

Akademik Živko Popov, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë së Veriut

Akademike Lidija Lindencer-Cvijetić, nënkryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnjës dhe Hercegovinës Prof. Massimo Della Valle, përfaqësues i Akademisë Kombëtare të Lincei-t Lucian Brujan, koordinator i Procesit të Berlinit për Arsim, Shkencë dhe Inovacion

Fjalimet theksuan rolin e ASHAK-ut në avancimin e shkencës, artit, kulturës dhe dijes shqiptare gjatë pesë dekadave të fundit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik në nivel rajonal e ndërkombëtar.

Ndërkaq mbrëmja do të kulmojë me koncertin festiv që do të mbahet në orën 19:00, nën udhëheqjen artistike të akademik Rauf Dhomit. Në koncert do të marrin pjesë artistët: Adelina Ploja (soprano), Arta Jashari (soprano), Antonio Gashi (cello), Besa Llugiqi (soprano), Denik Prizreni (kitara), Lule Elezi (piano), Lirika Pula (piano), Lorika Ismajli (soprano), Menan Berveniku (piano), Pranvera Hoxha (piano) dhe Zana Abazi (soprano).