Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së konsideron se vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për lirimin me kusht të Isni Kilajt, sipas tyre, rikthen një të drejtë të tij të mohuar padrejtësisht.
Sipas OVL të UÇK-së, ky zhvillim përbën një hap drejt reflektimit të domosdoshëm nga ana e kësaj gjykate.
“OVL UÇK i gëzohet lajmit për lirimin me kusht të bashkëluftëtarit tonë, Isni Kilaj nga Gjykata Speciale. Ky vendim rikthen një të drejtë të tij që i është mohuar padrejtësisht për një kohë të gjatë, njësoj siç po vazhdon të mohohet edhe për bashkëluftëtarët e tjerë që mbahen ende në paraburgim. Për ne, ky zhvillim përbën një hap drejt reflektimit të domosdoshëm nga ana e kësaj gjykate, e cila deri më tani ka refuzuar të respektojë të drejta të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj organizate pas lirimit me kusht të Kilajt.
Gjykata Speciale ka vendosur sot lirimin me kusht të Isni Kilajt, pas rishikimit të fundit të masës së paraburgimit në “Çështjen 12”, ku ai gjykohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.




