Përgjatë gjashtë orëve të premten e 12 dhjetorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë do të realizojnë ushtrim të gjerë në kryeqytet, përfshirë zonën pranë objektit të Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria të Prishtinës.
Sipas Policisë, përmes këtij ushtrimi nga ora 15:00 deri në ora 21:00 të këtë të premte, synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, ku kërkohet garantimi i një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës.
“Pjesëmarrja në këtë ushtrim do të përfshijë, prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane, përdorim të shtuar të mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme policore siç janë altoparlantët, sirenat e mjetet të ndryshme logjistike policore. Pra ky do të jetë vetëm një ushtrim e jo veprim policor ndaj një incidenti të vërtetë, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës Amerikane në Prishtinë – lagjja Arbëria, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë”, thuhet në njoftim.
Policia thotë se ushtrimet e përbashkëta me Ambasadën Amerikane, janë një tregues i forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në menaxhimin dhe reagimin ndaj situatave emergjentë, dhe të çfarëdo incidenti të mundshëm në Kosovë.




