Sipas aktakuzës, e cila përmban gjithsej 26 faqe, prokurori i shtetit ka detajuar veprimet inkriminuese të njëmbëdhjetë të pandehurve dhe ka përshkruar rolin e secilit në realizimin e veprave penale.

Hetimet kanë treguar se i pandehuri A.O, më 17 gusht 2025 rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në fshatin Isniq të Deçanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka organizuar veprimtari të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Në një dhomë të veçantë brenda lokalit, e cila ishte e destinuar për lojëra fati, ai kishte mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit.

Në këtë veprimtari ishin përfshirë edhe nëntë të pandehur të tjerë, të cilët, sipas prokurorisë, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore. Gjatë ndërhyrjes së policisë, disa prej tyre tentuan të largoheshin përmes një dere alternative, por u arrestuan në vendngjarje.

Policia ka sekuestruar në tavolinën e bixhozit letra loje dhe një shumë të konsiderueshme parash – gjithsej 17,578 euro, të gjetura tek secili nga të pandehurit. Sekuestrimi është kryer me autorizim të prokurorit të shtetit.

Ndërkohë, i pandehuri F.M ngarkohet se gjatë natës së ngjarjes ka poseduar armë pa autorizim, për çka përballet me akuzën për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale që u vihen në barrë. Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.