Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski deklaroi sot se Qeveria në Shkup nuk e mbështet protestën e së shtunës në sheshin `Skënderbeu`, të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ai njoftoi se shteti do të angazhohet që gjithçka të kalojë në qetësi dhe të mos ketë provokime e incidente.
“Më vjen keq që ka të tillë që e mbështesin këtë proces publikisht, edhe pse sipas meje nuk kishte nevojë të ndodhte ajo, por ai është vendim i tyre dhe nuk do të doja ta komentoja. Ne si qeveri do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, që nga pranimi në kufi deri në realizimin dhe organizimin e këtij marshi protestues të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Për këtë janë të informuar edhe partnerët tanë strategjik. Kemi formuar dhe shtab të krizës për të ndjekur të gjitha aktivitetet 24 orë para dhe pas protestës”, tha kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Duke komentuar deklaratën e dhënë për mediat në Kosovë, nga kryetari i Çairit, Izet Mexhiti ,se “në parim e mbështet protestën dhe se do të jap leje për tu mbajt në sheshin Skënderbe”,Mickovski tha se Mexhiti mbështet këtë për të mos humbur pikë politike.
Sipas Mickoskit, vendimi i Mexhitit është për shkak të presionit të organizatorëve, me mendimin se nëse nuk e përkrah do të humb pikë politikë, që sipas kryeministrit është vendim i gabuar.
Protesta e paralajmëruar për të shtunën në Shkup, vjen pas atyre që u mbajtën në Prishtinë dhe në Tiranë.




