Bora ka fituar në Pejë, ndërsa Sigal Prishtina ka marrë një triumf krejt në fund në një ndeshje dramatike ndaj Rahovecit.
E enjta ka sjellë dy ndeshje në javën e dhjetë të ProCredit Superliga në basketboll.
Në një përballje tejet të fortë, Bora ka arritur fitore si mysafire ndaj GO+ Pejës me rezultat 81:82. Prishtinasit e kanë nisur ndeshjen më mirë dhe e kanë dominuar çerekun e parë 15:30, por vendasit kanë reaguar në të dytin, 26:13, duke shkuar në pushim me vetëm dy pikë disavantazh (41:43).
Edhe në periodën e tretë Bora ka qenë më më e saktë, 14:24, ndërsa pejanët kanë tentuar përmbysjen në fund, por kanë arritur vetëm të afrojnë rezultatin në 81:82.
Te pejanët janë dalluar Musab Mala me shtatëmbëdhjetë pikë e pesë asistime dhe Jordan Johnson me njëzetë pikë. Për Borën janë dalluar Alex Hunter me njëzet e një pikë, tetë kërcime e tetë asistime, ndërsa Amin Hot ka realizuar njëzet e tri pikë e shtatë kërcime.
Pas kësaj sfide, GO+ Peja ka bilanc shtatë fitore e tri humbje, ndërsa Bora katër fitore e gjashtë humbje.
Në ndeshjen tjetër, Sigal Prishtina ka fituar në mënyrë dramatike ndaj Rahovecit 029 me rezultat 75:73. Kryeqytetasit kanë shënuar pesë pikë vendimtare në sekondat e fundit, duke e përmbysur sfidën.
Bailey dhe Burns kanë qenë vendimtarë: Adrio Bailey ka shënuar njëzet e dy pikë e pesë kërcime, ndërsa Deondre Burns ka përfunduar ndeshjen me nëntëmbëdhjetë pikë dhe pesë asistime. Te mysafirët është dalluar Julian Roche me shtatëmbëdhjetë pikë e pesë kërcime.
Me këtë fitore, Sigal Prishtina ngjitet në kuotën e gjashtë fitoreve e katër humbjeve, ndërsa Rahoveci 029 mbetet me bilanc të barabartë katër – gjashtë.



