Një rast i rëndë i vrasjes në tentativë është raportuar gjatë natës në fshatin Koshuticë të Leposaviqit. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 00:50, dy dëshmitare femra kanë njoftuar autoritetet se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë gjetur një person të shtrirë me plagë të shumta në pjesë të ndryshme të trupit, të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
Viktima, një mashkull rreth 40 vjeç, shtetas i Sirisë, është dërguar fillimisht në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jug për trajtim të mëtutjeshëm.
Ndërkohë, rreth orës 11:05, policia ka marrë një raport të dytë nga njësiti i SPMK Jarinje, i cili gjatë patrullimit ka hasur një tjetër person të lënduar në të njëjtin fshat. Viktima e dytë, një shtetas sirian 27-vjeçar, kishte lëndime në kokë dhe në këmbë, që po ashtu dyshohet të jenë shkaktuar nga një mjet i mprehtë.
Ai ka deklaruar se sulmi ka ndodhur mbrëmjen e kaluar dhe se i dyshuari është larguar drejt kufirit me Serbinë. Viktima është transportuar për trajtim në Spitalin e Mitrovicës Jug.
Policia ka nisur një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e të dyshuarit, i cili dyshohet se është ende në arrati. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e viktimave po monitorohet nga ekipet mjekësore.




