Lajmi është konfirmuar për RTKlive nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sipas të dhënave fillestare, në lagjen Lakuriq në Prizren, një kamion betoni, teksa ishte duke lëvizur në afërsi të punishtes, nuk e ka vërejtur këmbësoren, një grua rreth 53-vjeçare, dhe e ka goditur me mjet. Shërbimi i urgjencës është njoftuar menjëherë dhe mjekët në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha ai.

Bytyqi tha se policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i kamionit është shoqëruar dhe ndaluar në stacionin policor. Ai tha se në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.