Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, ambasadori Marcel Peško, së bashku me Komesarin e Lartë për Pakica, Kristof Kamp, zhvilluan sot një vizitë zyrtare në Bujanoc, ku u takuan me kryetarin e komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin. Gjatë takimit, ky i fundit paraqiti një sërë shqetësimesh që prej vitesh rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës.

 

Në fokus të bisedimeve ishte pasivizimi i adresave, një proces që, sipas kryetarit, po cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore të shqiptarëve dhe po krijon pasiguri të madhe juridike e sociale. Pajaziti theksoi gjithashtu se mosnjohja e diplomave nga institucionet serbe vazhdon të pengojë punësimin dhe mobilitetin e të rinjve.

Problematikat e tjera të ngritura përfshinin mungesën e investimeve dhe ngecjet në zhvillimin ekonomik, si dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore, çka sipas Pajazitit, krijon pabarazi strukturore dhe një ambient të pavolitshëm për integrim.

Kryetari i Bujanocit kërkoi që këto çështje të marrin trajtim urgjent në nivel qendror, ndërsa vlerësoi rolin e OSBE-së në mbikëqyrjen e situatës dhe në mbështetjen e proceseve që lidhen me të drejtat e pakicave.

Vizita e ambasadorit Peško dhe komisarit Kamp u cilësua si konstruktive, me palët që shprehën gatishmëri për të thelluar bashkëpunimin në funksion të përmirësimit të kushteve të jetesës së shqiptarëve në Bujanoc dhe të gjithë Luginës.