Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbime Akademike e Universitetit të Prishtinës, prof. Rozafa Basha, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Istvan Dux dhe sekretarin e parë të ambasadës, Aron Kerékgyárto. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mundësisë së sjelljes së një lektori të gjuhës hungareze për të ofruar kurs të gjuhës hungareze në kuadër të Qendrës së Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë dhe potencialisht, hapja e një lektorati të gjuhës hungareze në të ardhmen.
Siç ka bërë me dije përmes njoftimit Universiteti i Prishtinës, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Rektorat në tetor të këtij viti, me ambasadorin Dux ishte diskutuar, ndër të tjera, zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në Hungari, si edhe mundësia e ofrimit të kurseve të gjuhës hungareze për studentët tanë.
“Takimi i sotëm shërbeu për të konkretizuar këto ide dhe për të shqyrtuar hapat e mundshëm përpara”, thotë UP-ja.
Në takim morën pjesë edhe prof. Milote Sadiku, prodekane për bashkëpunim ndërkombëtar në Fakultetin e Filologjisë dhe prof. Lindita Sejdiu, udhëheqëse e Qendrës së Gjuhëve. Ato prezantuan mënyrën e organizimit të kurseve të gjuhës në qendër, kushtet e punës për lektorët, si dhe aspektet tjera organizative të Qendrës së Gjuhëve. Palët diskutuan gjithashtu afatet më të përshtatshme për angazhimin e mësimdhënësit dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj nisme.
“Qendra e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë po e zgjeron vazhdimisht ofertën e saj të gjuhëve të huaja, ndërsa UP po forcon më tej bashkëpunimin ndërkombëtar me synim rritjen e mundësive akademike për studentët dhe stafin”, njoftoi UP-ja.




