Koalicioni i organizatave IKD, FOL dhe INPO ka mbyllur sot zyrtarisht ‘Javën Kundër Korrupsionit 2025’, përmes një aktiviteti konceptual i cili në mënyrë vizuale dhe ndërvepruese paraqet ndikimin real të korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën e qytetarëve, funksionimin e institucioneve dhe perspektivën e vendit.
Aktiviteti përfshiu katër stacione tematike, ku vizitorët mund të shohin nga afër se si mungesa e energjisë, rrugët e dëmtuara, ushqimet e pasigurta dhe abuzimet me paranë publike lidhen direkt me korrupsionin.
IKD, FOL dhe INPO kanë përmbyllur sot Javën Kundër Korrupsionit 2025 me një aktivitet të veçantë konceptual, me të cilin u synua t’i largojë diskutimet nga niveli teorik dhe t’i sjellë ato në realitetin e përditshëm të qytetarëve. Përmes katër stacioneve tematike të vendosura në një hapësirë të hapur për lëvizje dhe ndërveprim, organizatorët kanë shpalosur mënyrat se si korrupsioni dhe krimi i organizuar ndikojnë në çdo segment të jetës publike dhe private.
“Koncepti që shihni sot është ndërtuar rreth katër stacioneve tematike, të cilat pasqyrojnë ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në jetën e përditshme, në qeverisje dhe funksionimin e institucioneve publike, në sistemin e drejtësisë, si dhe në stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Secili stacion trajton një dimension të veçantë, duke kombinuar elementë analitikë me paraqitje vizuale, për ta shndërruar korrupsionin nga një nocion abstrakt në një realitet konkret dhe të prekshëm”, tha Arrita Rezniqi, menaxhere e projektit.
Gjatë kësaj jave janë publikuar disa raporte të rëndësishme mbi funksionimin e drejtësisë, prokurimin publik, llogaridhënien institucionale dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, të cilat përmbajnë rekomandime të qarta për përmirësimin e situatës.
“Gjatë kësaj jave, koalicioni i organizatave IKD, FOL dhe INPO ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, përfshirë konferenca për media, tryeza diskutimi, publikime analitike, ‘podkaste’, aktivitete publike dhe fushata sensibilizuese në rrjetet sociale. Qëllimi ynë ka qenë i qartë: rritja e transparencës, forcimi i integritetit institucional dhe nxitja e një kulture të qëndrueshme të llogaridhënies”, shtoi Rezniqi.
Ky aktivitet shënon edhe përmbylljen e Javës kundër Korrupsionit 2025, e cila nisi më 8 dhjetor me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.




