Një nga formulimet më të fundit që figuron në draftin e konkluzave thotë se:“Duke marrë parasysh transferimin e rregullt të qeverisjes vendore në katër komunat veriore, Këshilli rikujton konkluzat e tij nga viti i kaluar dhe mirëpret heqjen e masave të mbetura”.

Gjuha, gjithsesi, është më pozitive sesa në versionet e mëhershme. Ajo që dihet, por nuk thuhet publikisht, është se ende po hezitohet që masat të hiqen para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

E panjohura e dytë lidhet me faktin nëse masat do të hiqen plotësisht apo gradualisht. Për momentin, sipas asaj që merret vesh, Komisioni Evropian po përgatitet të heqë gjysmën e masave të mbetura.

Ende nuk është arritur pajtimi për tekstin e konkluzave mes vendeve anëtare, ndonëse janë zhvilluar disa takime gjatë javës së kaluar.

Sidoqoftë, teksti final, i cili përfshin edhe kapitullin kushtuar Kosovës, pritet të miratohet në takimin e së martës të ministrave për Evropën.