Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për këtë javë. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë gjithë javës do të mbajë mot kryesisht i vranët, me intervale të shkurtra me diell dhe pa reshje.
Në orët e para të mëngjesit parashihen mjegulla që do të ulin dukshmërinë horizontale, sidomos në ultësira dhe pranë zonave ujore. Temperaturat e ulëta do të krijojnë kushte për paraqitjen e brymës dhe lokalisht edhe të krahnezës, ndërsa në viset malore pritet të ketë më shumë rreze dielli për shkak të inverzionit termik.
Të hënën moti do të jetë i vranët me intervale dielli, me temperatura minimale nga -4 deri -2°C dhe maksimale nga 5 deri në 8°C, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
Të martën parashikohet mot i ngjashëm, me temperatura minimale nga -6 deri -3°C dhe maksimale 5–8°C, ndërsa era do të jetë nga juglindja me shpejtësi 1–3 m/s.
Të mërkurën moti do të mbetet i vranët me intervale dielli, temperaturat minimale do të lëvizin nga -4 deri -2°C, ndërsa ato maksimale nga 7 deri në 10°C, me erë kryesisht nga juglindja 1–4 m/s.
Të enjten pritet mot i vranët me intervale dielli, me temperatura minimale nga -2 deri në 0°C dhe maksimale 7–10°C, ndërsa era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.
Të premten moti do të jetë po ashtu i vranët me intervale dielli, temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri në 0°C, ndërsa maksimalet nga 7 deri në 10°C, me erë të lehtë deri mesatare nga jugperëndimi.
Sipas njoftimit, kushtet agrometeorologjike vlerësohen si relativisht të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore, veçanërisht për mbjelljet e vonshme të grurit.
Bujqve u rekomandohet rritja e normës së mbjelljes, përdorimi i farës cilësore dhe të certifikuar, si dhe përshtatja e thellësisë së mbjelljes sipas kushteve të tokës, masa këto që do të ndikojnë pozitivisht në mbirjen e bimëve dhe në sigurimin e një rendimenti sa më të qëndrueshëm.




