LDK përmes një komunikate ka bërë të ditur se kryetari i saj dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka drejtuar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në të cilën ka kërkuar zyrtarisht heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Sipas kreut të LDK-së, vazhdimi i këtyre masave po prodhon pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmton funksionimin e institucioneve shtetërore. Kjo parti thekson se kriteri kryesor i vendosur nga Bashkimi Evropian, përkatësisht transferimi i pushtetit lokal në komunat veriore, tashmë është përmbushur.

“Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike”, vlerëson LDK.

Në këtë kontekst, Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit.

“Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian”, thuhet në komunikatën e LDK-së.