Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ridvan Hoti theksoi se kjo ceremoni shënon suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përfunduar një trajnim të avancuar në këtë shtet.
Ai e vlerësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, sipas tij, e ndërtuar mbi vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
“Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm gjithashtu vlerësoi marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e cilësuar atë si një partneritet unik dhe të besueshëm që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne të korrektimit”, thuhet në njoftim.
Ai shprehu mirënjohje për autoritetet daneze, trajnerët dhe mentorët për mbështetjen, duke e quajtur këtë si fillimin e një kapitulli të ri.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
Ai ka thënë se ky projekt mbetet prioritet i lartë dhe se pritet që edhe grupe të tjera zyrtarësh nga Kosova të përfundojnë trajnimin.
Ndërkohë drejtoresha e Shërbimit të Burgjeve në Danimarkë, Ina Eliasen, theksoi se trajnimi i zyrtarëve korrektues nga Kosova është thelbësor për përgatitjet para vënies në funksion të burgut.
SHKK-ja thotë se ajo vlerësoi suksesin e grupit të parë, përfshirë trajnimin në kulturën daneze dhe menaxhimin e burgjeve, si dhe falënderoi zyrtarët nga të dy vendet për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit.
Bëhet e ditur se ky trajnim mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët korrektues nga Kosova sipas SHKK-së treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë.
“Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.



