
Sot u ndanë çmimet vjetore të gazetarisë për vitin 2025, ku u vlerësua puna dhe kontributi i gazetarëve nga të gjitha trevat shqipfolëse: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Ambasadës Gjermane në Tiranë, në praninë e përfaqësuesve të politikës, diplomacisë dhe komunitetit mediatik.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi edicionin e shtatëmbëdhjetë të ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarët.
Veprimtaria e organizuar në Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe e mbështetur nga
Programi Rajonal i GIZ #SustainMedia: bashkëfinancuar nga BE.
Gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrës në konkursin “Vangjush Gambeta”, u njohën me fituesit për vitin 2025.
Ndërkohë që u shpallen edhe fituesit e çmimeve:
” Karriera”,
“Reporteri i Vitit 2025”,
“Raportimi më i mirë i Vitit 2025”
“Ismet Bellova” për gazetarët sportivë.
Në këtë aktivitet të fundvitit, ishin të pranishëm kolegë nga krejt hapësira shqiptare, organizata gazetarësh, personalitete të larta shtetërore, diplomatike dhe nga fusha të ndryshme shoqërore dhe institucionale nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Juria e konkursit “ Vangjush Gambeta” Tiranë 2025 e përbërë nga kryetare gazetarja Oljana Maloku dhe anëtarë; Kreshnik Kucaj, Lorenco Rabeta,, Vedat Memedalija Shkup dhe Agon Sinani Kosovë vlerësuan me çmimet “ Vangjush Gambeta” gazetarët e ekonomisë:
Çmimi “ Vangjush Gambeta”: Gazetarët Eliza Gjediku, Ilda Hoxha nga Shqipëria, Uran Haxha nga Kosova dhe Anëmsha Shabani nga Maqedonia e Veriut.
Bordi i çmimeve të UGSH për vitin 2025 i kryesuar nga kryetari i Unionit Gazetari Aleksandër Çipa vlerësuan me çmimet vjetore emra të njohur dhe me kontribute në gazetarinë bashkëkohore dhe raportimin informues për periudhën një vjeçare. Me çmimet “Karriera” për vitin 2025 u vlerësuan:
Gazetari Artur Zheji (pas vdekjes) me motivacionin: “Gazetari që në aktivitetin shumëvjeçar solli një nivel të cilësishëm raportimi si në mediat kombëtare edhe në ato rajonale.
Artur Zheji drejtoi dhe organizoi media audiovizive dhe redaksi kombëtare të debatit dhe diskutimeve publike. Ndau dhe e lartësoi suksesin profesional si në mediat klasike ashtu edhe në ato të reja.
Kultura raportuese, thellësia analizuese dhe formimi intelektual e shquan gazetarin dhe publicistin Zheji, në momente të rëndësishme zhvillimesh kombëtare dhe shoqërore, si analist dhe polemist me ekuilibër dhe peshë mendimi.

Aftësia e tij prej moderuesi në studio dhe panele radiotelevizive përbëjnë një model profesionisti erudit.” , si dhe gazetari Nazim Rashidi nga Shkupi, me motivacionin: “Gazetar me përvojë dhe karrierë shumëvjeçare në media vendore, kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Jeta dhe kontributi i gazetarit Rashidi spikasin si model i reporterit dhe redaktorit me kulturë dhe ndërgjegje të lartë etike.
Historia profesionale e këtij gazetari, përbën një model të cilësive të larta qytetare në shërbim dhe inkurajim të bashkëjetesës ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Aftësitë vetiake në përvojën e gjatë, si gazetar dhe në pozicione të ndryshme redaksionale, janë shembull i profesionistit që reflekton besnikërinë ndaj profesionit dhe përgjegjësinë e misionarit informues të publikut.”

UGSH ndau për herë të parë “Çmimi Special” për gazetarin Besim Dybeli, me vlerësimin: “Gazetar që iu përkushtua raportimit dhe punës në media për disa dekada resht, duke plotësuar më së miri cilësitë specifike të raportuesit mediatik. Puna ei tij në mediat e shkruara dhe ato audiovizive e kanë bërë një emër të njohur në hapësirën shqiptare.
Drejtues i degës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë qarku i Elbasanit për shumë vite dhe aktivist i shquar i komunitetit profesional të gazetarëve në nivel vendor dhe kombëtar.
Kontributi i tij në mbështetje të reporterëve të rinj, përbën modelin mentorues për mediat vendore dhe gazetarët e brezit rë ri.”

Çmimin “Reporter i Vitit 2025” e mori gazetari Eraldo Harlicaj, me vlerësimin si:” Gazetar i përkushtimit për raportim këmbëngulës dhe me ndjeshmëri të lartë humane. Raportimi vijues dhe në thellësi për rastin e vrasjes së vogëlushit Martin Camaj, solli ndikim për drejtësidhënie, në procesin juridik që pasoi.
Ndjekja vijuese e çështjes nxiti qëndrimet e duhura dhe shtoi vëmendjen publike ndaj rastit.”
Ndërsa çmimi “Raportimi më i mirë i vitit 2025” iu nda fotoreporterit Florion Goga, i cili përmes Rojterit, përcolli në mediat kombëtare dhe ato ndérkombëtare raportimin me:” Imazhet fotografike të raportuara nga zjarret masive në periferi të qytetit të Delvinës, shkaktuan reagime dhe ndjeshmëri të lartë institucionale dhe qytetare. Ky raportim ngjalli ndjenjë të fuqishme solidariteti qytetar dhe mediatizim ndërkombëtar.”
Për të pestin vit, UGSH përmes degës së Unionit të Gazetarëve Sportivë Shqiptarë ndau çmimin “ Ismet Bellova”, i cili për këtë vit iu nda gazetarit Saimir Demi (Pas vdekjes), me motivacionin:” Për profesionalizmin e treguar ndër vite me shkrimet dhe emisionet e tij, duke i dhënë sportit më shumë vlerë, personalitet dhe vërtetësi.
Gazetari Saimir Demi do të mbetet një emër i nderuar në gazetarinë sportive, në kujtesën e disa prej redaksive më të njohura të profilit në hapësirës shqiptare.
Kontributi i tij vlen si model frymëzimi për gazetarët e rinj të sotëm dhe ata që do të vijnë.”
Në veprimtarinë me emocione të shumta, të cilën e çeli Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Shkëlqesia e Tij zoti
Karl Bergner, përshëndetën gjithashtu kryetari i Kuvendit të Shqipërisë zoti Niko Peleshi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij zoti Skënder Durmishi, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mediat, zonja Jorida Tabaku si dhe përcollën mesazhe emra të nderuar të mediave dhe jetës publike në vend.
Në fjalën e tij, ambasadori Karl Bergner theksoi rëndësinë e gazetarisë si një pushtet i pavarur dhe të domosdoshëm në funksionimin e demokracisë dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Puna dhe kontributi juaj si gazetarë janë një pjesë e pandashme e çdo sistemi demokratik. Në rolin tuaj, ju jeni thelbësorë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Liria e shprehjes dhe një peizazh mediatik i larmishëm, i pavarur nga interesa të ndryshme, janë baza e këtij procesi”, u shpreh ambasadori Bergner.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vuri në dukje rolin kyç të gazetarisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar nevojën për rritjen e transparencës institucionale dhe informimin e qytetarëve mbi standardet dhe sfidat që shoqërojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Një nga fushat ku duhet të bëjmë më shumë është transparenca. Duhet të jemi më të hapur ndaj jush dhe ta bëjmë informacionin jo vetëm të disponueshëm, por edhe realisht të aksesueshëm”, deklaroi Peleshi.
Deputetja Jorida Tabaku theksoi se gazetaria cilësore përballet sot me vështirësi serioze, duke bërë të ditur se në Komisionin Parlamentar të Medias po punohet për iniciativa ligjore që synojnë përmirësimin e mjedisit mediatik dhe forcimin e mbrojtjes së gazetarëve.
“Është gjithnjë e më e vështirë të bësh gazetari cilësore. Megjithatë, në rolin tim si kryetare e Komisionit të Medias, kemi nisur bashkëpunime për iniciativa ligjore që synojnë përmirësimin e mjedisit mediatik dhe rritjen e mbrojtjes së gazetarëve, duke nisur nga ndryshimet në Kodin Penal për mbrojtjen nga kërcënimet, deri te dekriminalizimi i shpifjes, në përputhje me detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”, u shpreh Tabaku.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, theksoi se UGSH është organizata më përfaqësuese e gazetarëve shqiptarë, me një kontribut prej gati dy dekadash në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe promovimin e standardeve profesionale. “Vijimi i kësaj veprimtarie në harkun kohor të gati dy dekadave, përbën një model të aktivizmit vullnetar dhe përgjegjësisë për të qenë një organizëm i strukturuar në mbrojtje të lirisë dhe bashkimit të gazetarëve.”, tha ai.
Çmimi “Gazetari sportiv i vitit” u nda per te ndjerin Saimir Demi

Aktiviteti u moderua prej kolegeve të njohura Suela Demiri dhe Loneda Progni./I.K.




