Në kuadër të fushatës elektorale, kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku mbajti tubim me mbështetësit e këtij subjektinë Fushë Kosovë.
Abdixhiku tha se Fushë Kosova është shembulli më i mirë i zhvillimit të vendit, ku njerëzit nuk kanë kërkuar asnjëherë privilegje por vetëm dinjitet e shtet, që siç tha ai, është në krizë të thellë morale e politike.
Ai theksoi se një shtet i ndarë nuk mund të ecë përpara, prandaj, siç tha, si kryeministër i ardhshëm, i kupton hallet e qytetarëve.
“E kemi të qartë, me popullistë Kosova nuk ka zhvillim, prandaj të gjithë duhet të ngritemi bashkë për t’i dhënë LDK-së fitore më 28 dhjetor sepse nuk ka alternativë tjetër. LDK nuk ka qenë asnjëherë parti e rastit por e qastit, që ka ditur të afrojë dhe jo të përçoj”, tha ai.
Po ashtu, i pari i LDK-së tha se nuk premton mrekulli, por të ardhme, që sipas tij, po i mohohet vendit tash e 4 vjet.
“Ne e shohim familjen si investim, të rinjtë si e ardhme e jo si problem, e shohim Republikën si mision dhe që po thërret për LDK, po thërret e ne duhet t’i përgjigjemi me maturi e projekte për njerëzit e Kosovës. Kemi thënë që në e fillim do t’i rrisim pagat, ato për mesimdhënëse do të bëhen 1000 € në muaj, çdo polic i Kosovës, çdo ushtar i FSK-së, zjarrfikës do të ketë pagë 900 €. Do të kujdesemi edhe për pensionistët që kanë dhënë një jetë për vendin. Pensionet që i merrni janë lëmoshë, prandaj zotohemi se pensionet do të rriten në vitin e parë 200, vitin e dytë 250 dhe vitin e tretë do të jenë 300€”, shtoi Abdixhiku.
Premtoi shtesa për fëmijët, trajnime për të rinjtë për të marrë punë me paga të larta dhe tha se secilit t’i sapodiolomuar do t’i sigurohet punësimi me 500 € në muaj.
Ai premtoi edhe spitalin e ri në Prishtinë si dhe në Fushë Kosovë.




