Presidenti i FFK-së, Agim Ademi , ka bërë me dije se sot kanë inauguruar “FIFA Arena” në SHFMU “Hasan Prishtina”, njërën nga dy fushat e përfunduara në kuadër të këtij projekti në Prishtinë.
“Ky projekt i FIFA-s u realizua në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Këto fusha të vogla moderne të futbolli u dedikohen nxënësve dhe fëmijëve të komunitetit”.
“Jam veçanërisht i lumtur që përmes projektit “FIFA Arena” po i japim më shumë hapësirë futbollit spontan, i cili ka qenë gjithmonë pjesë e kulturës sonë sportive dhe është pjesë e programit tim si një bazë e rëndësishme për zhvillimin e talenteve”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Ai ka theksuar se bashkë me komunën e Prishtinës kanë nisur edhe Ligën e Shkollave, të cilën synojnë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera.
“Përfitueset e para të projektit “FIFA Arena” janë shkollat “Hasan Prishtina” dhe “Gjergj Fishta”, ndërsa ndërtimi i fushave të tjera do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Jam i bindur se këto fusha do të ndikojnë në zbulimin e shumë talenteve që në të ardhmen do të jenë yje të futbollit”.
“Faleminderit FIFA-s, veçanërisht presidentit Gianni Infantino dhe Elkhan Mahmadov për realizimin e këtij projekti, si dhe Komunës së Prishtinës për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Së bashku po investojmë jo vetëm në sport, por në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të komunitetit”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.





