Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë për RTKlive se zjarri ka përfshirë dhe ka djegur një autoambulancë në QMF-në e fshatit Ratkoc.

Elezaj shtoi se, si pasojë e flakëve, janë shkaktuar dëme edhe në objektin e QMF-së, ndërsa theksoi se një person i dyshuar është në kërkim.

“Rreth orës 02:40 është raportuar për një incident zjarri në fshatin Ratkoc të Rahovecit. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme edhe në objektin e QMF-së. Zjarri është lokalizuar dhe nuk ka pasur pasoja për njerëzit. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si ‘zjarrvënie’. Lidhur me rastin, jemi në kërkim të një personi të dyshuar dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë ai.