Bashkatdhetarët tanë që punojnë e jetojnë në vende të ndryshme të botës, po vijnë në vendlindje për t`i kaluar festat e fundvitit. Fluks i lartë i tyre është krijuar këtë vikend edhe në pikën kufitare të Vërmicës, që u drejtohen zyrave të Byrosë së Sigurimit të Kosovës, për t`u pajisur me polica të sigurimit.
Pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës po përballen me një fluks të lartë të bashkatdhetarëve që po kthehen në vendlindje për festat e fundvitit. Radhë të gjata automjetesh janë regjistruar që nga kjo e diel, pasi shumë emigrantë po vijnë nga vendet e Evropës.
Çlirim Kurtishaj, bashkatdhetar, tha se zakonisht në Vërmicë shërbimet kryhen shpejt, ndryshe nga disa shtete të tjera ku pritjet janë të gjata, duke përmendur se në Kroaci dhe Mal të Zi ka pritur rreth gjashtë orë.
Edhe Argjend Kodra, bashkatdhetar, tregoi se udhëtimi nga Kroacia ka zgjatur pothuajse një ditë për shkak të kolonave të gjata, ndërsa në pikën kufitare të Vërmicës pritjet kanë qenë minimale.
Ndërkaq, Afrim Hamiti, bashkatdhetar, tha se në Kroaci ka pritur rreth tri orë, por se në Vërmicë gjithçka ka shkuar pa probleme.
Ndërkohë, Hamdi Berisha, bashkatdhetar, theksoi se udhëtimi nga Italia ka qenë i gjatë, duke përfshirë edhe tetë orë udhëtim me traget.
Po ashtu, Samir Ajeti u shpreh se nuk ka pasur fare pritje, duke shtuar se kalimi përmes Shqipërisë ka qenë më i shpejtë krahasuar me rrugët e tjera.
Byroja e Sigurimit të Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për t’u përballur me fluksin e lartë të automjeteve që kërkojnë shërbime në pikat kufitare.
“Shtetet që dominojnë këtë vit janë Gjermania, Zvicra, Italia, Sllovenia, Kroacia, Franca dhe të tjera. Për fat të mirë, me investimet teknologjike të bëra kohëve të fundit dhe trajnimin profesional të stafit, koha e pritjes nuk kalon 20 sekonda”, tha Agron Berisha nga BSK.
Policia Kufitare e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën në pikën kufitare të Vërmicës, po punon me procedura të përshpejtuara për të shmangur pritjet e gjata dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, autoritetet doganore në Vërmicë paralajmërojnë se fluksi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Një rritje e ngjashme e lëvizjeve pritet edhe në ditët e para të vitit 2026, kur bashkatdhetarët do të kthehen drejt vendeve evropiane ku jetojnë dhe punojnë.




