ATK me të hyra vjetore prej 1,336 miliardë eurove për 2025 1,336 miliardë euro janë të hyrat vjetore në periudhën janar – dhjetor për vitin 2025 nga Administata Tatimore e Kosovës. Kjo shifër e cila u prezantua në konferencën vjetore, përfshin pjesën e tatimeve dhe të kontributeve.

Kontributet pensionale kanë arritur vlerën 354 milionë euro, ndërkaq është shënuar rritje prej 58 milionë eurove apo rreth 6% të tatimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministri në detyrë i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati tha se Administrata Tatimore e Kosovës është një nga shtyllat kryesore në funksionimin e shtetit dhe mbushjen e buxhetit publik.

“Gjatë 5 viteve të fundit ATK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në rritjen e të hyrave të mbledhura ashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe një nga treguesit e kësaj performance është edhe tejkalimi i shifrës 1 miliard euro të hyrat nga tatimet apo të mbledhurat nga ATK, një fakt që e dëshmon se është një rritje e vazhdueshme e besimit të qytetarëve në institucionet tona”, tha Murati në konferencën vjetore të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ai tha se shifra prej 1 miliard euro për herë të parë në historinë e ATK-së është përmbushur me 16 dhjetor të këtij viti.

“Pra, ende pa u mbyllur viti janë mbledhur 1 miliard, pra është një rekord historik. Kjo shifër nuk është e rastësishme, sepse njësoj apo ngjashëm ka performuar edhe aspekti ekonomik, pra kemi biznese që tani, këtë vit pitet ta mbyllin me rreth 25 miliardë euro qarkullim, ndërkaq hiq më larg se para 5 vitesh kjo shifër ishte 11. 5 miliardë euro”, tha ai.

Murati, tha se nuk është rritur vetëm qarkullimi, por ka rritje edhe të fitimit të bizneseve.

“Fitimi i bizneseve tashmë ka tejkaluar shifrën prej 2 miliardë euro, pritet të jetë 2. 3 miliardë euro sivjet, ndërkaq para 5 vitesh kjo shifër ishte vetëm 900 milion euro”, deklaroi Murati.

Ministri në detyrë tha se ngjashëm është edhe te numri i të punësuarve.

“Shifra e të punësuarve tregon që ka prekur numrin prej 435 mijë vende pune aktive që janë të raportuara në ATK dhe paguajnë tatim , ndërkaq para 5 vitesh ishte 350 mijë. Janë të gjitha shifrat këto që konfirmojnë se ky trend i mbledhjes së të hyrave tatimore prej 1 miliard euro nuk është rastësi, por rezultat i një pune të vazhdueshme”, tha Murati.

Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni në shpalosjen e të dhënave vjetore tha se ky është moment historik për institucionin.

“Kisha dashur t’i vë theks kësaj shifre, sidomos duke pasur parasysh që ATK po përballet me mungesë të punëtorëve, që sillet rreth 30% dhe një moshë mesatare që kalon 51. Prap ATK ka arritur të krijojë të hyra që tejkalojnë 1 miliardëshin. Sivjet kemi një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, e cila është rritje që e përcjellë tregun e viteve të fundit”, ka thënë ai.

Gjatë vitit 2025, ATK ka realizuar 24,051 kontrolle përmbushëse, përfshirë mbi 16 mijë aktivitete dhe gati 8 mijë vizita në terren. Si rezultat, janë shqiptuar 11,178 gjoba, me vlerë rreth 3 milionë euro, si dhe janë identifikuar 23,912 raste të mungesave në stoqe dhe 267 gjoba për mall pa origjinë.