Gjykata, njëzëri, e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të zgjatjes së tepruar të procedurës gjyqësore.

Rasti lidhet me lëndimet fizike të parashtruesit nga kontakti me një largpërçues të tensionit të lartë në vitin 2002, pas së cilës ai kishte paditur Korporatën Energjetike të Kosovës në vitin 2005. Procedurat gjyqësore kanë vazhduar për më shumë se 17 vjet dhe, sipas Gjykatës Kushtetuese, ende nuk kishin përfunduar plotësisht deri në tetor 2025.

Gjykata ka vlerësuar se vonesat nuk janë shkaktuar nga parashtruesi i kërkesës, por nga veprimi i ngadaltë dhe joefikas i gjykatave të rregullta. Po ashtu, është theksuar se çështjet që lidhen me dëmtime trupore duhet të trajtohen me prioritet dhe brenda një afati të arsyeshëm.

Si përfundim, Gjykata Kushtetuese konstatoi se zgjatja e procedurës ka cenuar të drejtën e parashtruesit për një proces të rregullt gjyqësor.