Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Marrje ryshfeti”.
Në bazë të hetimeve fillestare ekziston dyshimi se zyrtari policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare sot në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, për përfitim financiar i ka mundësuar një qytetari të Republikës së Serbisë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, ndonëse këtij qytetari paraprakisht i ishte ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas pranimit të informacioneve të para për këtë rast, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimet me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren .
Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren, nga hetuesit e IPK-së është arrestuar zyrtari policor kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Lidhur me këtë rast është arrestuar edhe qytetari (shtetas i Republikës së Serbisë) dhe ndaj tij është iniciuar rast penal me dyshimin për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njofton IPK.




