Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Nga Prokuroria Speciale ai akuzohet për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Sipas aktakuzës shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sh.A., për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. I pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse. Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se rasti i është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.




