Gërxhaliu theksoi se shumë projekte të financuara nga BE-ja dhe donatorë të tjerë janë fitim për dy palët: jo vetëm për Kosovën, por edhe për kompanitë zbatuese evropiane, përmes shpenzimeve për tenderë, teknologji, konsulencë, transport, hotele dhe paga.

Sipas tij, pezullimi ose ngadalësimi i projekteve ka krijuar efekte zinxhir negative: bashkëpunime të ndërprera, vonesa në implementim, rritje të kostove dhe humbje mundësish për partnerët evropianë.

Gërxhaliu gjithashtu nënvizoi se pasojat kanë prekur imazhin ndërkombëtar të Kosovës. “Të jesh i vetmi shtet evropian pas Rusisë dhe Bjellorusisë me masa të tilla nuk i bën nder Kosovës,” tha ai, duke shtuar se investitorët e huaj kanë anashkaluar vendin për disa vite për shkak të pasigurisë.

Në thelb, ai e përshkroi ndikimin e masave si një goditje për zhvillimin ekonomik, besueshmërinë e projekteve evropiane dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.