Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Gjakovë.
Nga atje, kreu i LVV-së, kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se vizioni i tyre është punë për qytetarin e mbrojtje për familjen.
“Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona krijojnë shtet e qytetarë të sigurt si dhe shoqëri e familje të begatë. Ky mandat i ardhshëm është për ta kthyer fuqishëm sigurinë e begatinë në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes tha se me qeverisjen e tyre rritën për 70 për qind ekonominë e vendit, ndërsa tha se në mandatin e ardhëm buxheti i Republikës do të ketë shifrën prej 4 miliardësh. Ai tha se qarkullimi i bizneseve është 25 miliardë.
“Nuk mund ta gjeni asnjë biznes që në qeverinë tonë, ankohet që ndonjëherë, ndonjëri i ka lypë ryshfet në fillim apo haraç në fund të biznesit që ka dashtë me bërë. E pra antikorrupsionin e kemi shndërruar në rritje, me gjilpërë e kemi qepur thesin. Është e vërtetë që tu e qepë thesin është ndierë edhe ndonjë piskamë, normalisht është ajo, sepse thesi nuk është shqyer vetë, sepse thesi është shqyer se dikush i ka pasur duart aty, dhe ne kur kemi marrë gjilpërën për ta qepur thesin, ia kemi qëlluar edhe duarve të atij që e ka shqyer thesin”, tha ai.
Kurti para gjakovarëve tha se në mandatin e ardhshëm një familje me 3 fëmijë do t’i marrë 270 euro në muaj, me katër fëmijë 360 euro, e me 5 fëmijë 450 euro.
Ai tha se prej 1 janarit paga minimale do të bëhet 425 euro e nga 1 korriku 500, aq sa nga ajo kohë çdo nënë lehonë tha se do të marrë 6 muaj pagën e re minimale prej 500 euro.
Tha se në Babaj të Bokës do të ndërtojnë hangarët për fluturaket e Forcës së Sigurisë e po ashtu në Jahoc të Gjakovës do të ndërtojnë edhe fabrikën e municioneve.
“Gjakova e ka një peshë historike për vendin tonë, e për qeverinë tonë ka edhe peshën strategjike”, tha ai.
Kurti para gjakovarëve foli për veriun. “Tash ndoshta ka mbetur ndonjë kriminel i vocërr që po fshihet diku, por kriminelët e mëdhenj ose janë vrarë në Banjskë të Zveçanit kur ka rënë heroikisht dëshmori më i ri i kombit, heroi Afrim Bunjaku, ose janë në burg të sigurisë së lartë, ose kanë ikur në Serbi”.
Kurti në këtë tubim elektoral në Gjakovë foli për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i kishte vendosur Kosovës, po tha se masat më të mëdha i ka vendosur opozita.
“Le të mos harrojmë se masat më të mëdha Kosovës i janë vënë nga opozita kosovare në seancën e fundit të Kuvendit. Na kemi masa të brendshme kundër shtetit, fatkeqësisht prej një opozite destruktive”, tha Kurti para gjakovarëve.




