Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën drejtimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ka kremtuar 36-vjetorin e themelimit të saj me homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Velani të Prishtinës. Në këtë aktivitet u theksua roli i rëndësishëm i Rugovës dhe i LDK-së në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të demokracisë në Kosovë.
Kryetari Lumir Abdixhiku kujtoi se programi i partisë, i krijuar nga Rugova dhe intelektualë të shquar para 36 vitesh, u bë një platformë kombëtare për gjithë popullin e Kosovës, me synim lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Ai shtoi se ky mision mbetet themeli i veprimtarisë politike të LDK-së edhe sot.
“LDK, para se të ishte parti politike, ka qenë një lëvizje e gjithë popullit të Kosovës. Kujtojmë themeluesit, veprimtarët dhe aleatët tanë që qëndruan pranë popullit në periudhat më të vështira, dhe me krenari vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt së ardhmes”, u shpreh Abdixhiku.
Në përvjetorin e 36-të, LDK riafirmoi angazhimin e saj për të mbajtur gjallë vizionin historik të Rugovës dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm demokratik të vendit.




