Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur me 22 mijë euro subjektin politik Lista Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Lista Serbe ëshë denuar me 20 mijë euro, pas ankesës së paraqitur nga subjekti politik ‘Kosovski Savez’, ndërsa dy mijë euro u gjobit pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në ankesën e ‘Kosovski Savez’ e cila u pranua si e bazuar nga PZAP-ja, thuhej që në Komunën e Leposaviqit, në disa lokacione të ndryshme, Lista Serbe ka vendosur materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Për këto pretendime, Lista Serbe nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj ankesës.
PZAP-ja ka vlerësuar se ankesa është e bazuar, duke theksuar se ankuesi ka bashkëngjitur fotografi si dëshmi të vendosjes së materialeve promovuese. Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, përfshirë shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike.
Sipas PZAP-së, Lista Serbe ka qenë e njoftuar se vendosja e materialeve promovuese pa lejen e organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor. Lista Serbe gjithashtu është urdhëruar që t’i largojë të gjithë posterët nga vendet e vendosura.
Lista Serbe është gjobitur me dy mijë euro edhe pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.
PZAP e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e LVV-së, me arsyetimin se ajo ka shkelur sërish Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë zgjedhjeve që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, duke vendosur një baner në hapësirën e jashtme të një objekti kolektiv të banimit në Mitrovicë të Veriut.
PZAP e ka detyruar Listën Serbe që nga momenti i marrjes së këtij vendimi të largojë këtë baner të vendosur në objektin që gjendet në sheshin “Car Llazar” në qytetin e Mitrovicës Veriore, përndryshe mosbindja ndaj kësaj urdhërese paraqet shkelje tjetër të këtij ligji që mund të sanksionohet me dënime shtesë nga PZAP.




