Ambasada përmes njoftimit për media ka bërë të ditur se Prattipati ka theksuar pritjet që kanë Shtetet e Bashkuara nga kryetarët e zgjedhur, pas procesit të zgjedhjeve lokale në këto katër komuna.

“E ngarkuara me punë e shtetit Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapoemëruar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile serbe të Kosovës në veri të Kosovës. Ajo nënvizoi pritjet e SHBA-së për qeverisje transparente dhe efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të përkushtuara për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Lista Serbe u rikthye në udhëheqje të këtyre komunave pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.