Në kuadër të intervistave që RTK po realizon me liderë politikë e kandidatët për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 28 dhjetor, programin e vizitonin e Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar, ka shpalosur drejtuesi i kësaj partie, Alban Hoti.
Hoti në këtë intervistë tha se është i vetmi kandidat për kryeministër që ka shtetësi amerikane, prandaj si pikë të parë e ka renditur rregullimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam personi i duhur për të rregulluar raportin me Amerikën e për t’i dhënë Kosovës nurin që e meriton. Ne si popuj nuk largohemi nga njëri -tjetri, por, si qeverisje për momentin, më këtë qeverisje e dimë çka ka ndodhur para disa muajsh ku është ndërprerë kompet dialogu diplomatik me Kosovën”, tha ai.
Si tjetër prioritet, Hoti përmendi rikthimin në tavolinë të projektit të gazit.
“Është investim amerikan që jo vetëm na thjeshton jetën, po ashtu edhe krijon vende pune”, deklaroi ai.
Kanididati për kryeministër nga Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar premtoi ngritje pensionesh, krijim të strategjisë për policinë.
Tha se do të ofrojnë shërbim shëndetësor dhe jetësor, sikurse për policinë ashtu edhe për institucione të tjera të sigurisë.
“Nëse një polic i Kosovës bie në detyrë, familja e tij do të kompensohet me 200 mijë euro. Kjo nuk është vetëm për policinë, kjo vlen edhe për FSK-në, zjarrfikësit e të tjerë”, deklaroi Hoti.
Premtime pati edhe për shëndetësinë, si dhe lehtësira për bizneset, derisa foli për planet e tyre nëse vijnë në qeveri për krijimin e një institucion financiar shtetëror.
Tha se janë një zë i ri që reflekton bashkim, unitet e paqe mes popullit.
“Sepse populli nuk e meriton të përçahet për subjekte politike”, deklaroi Hoti në këtë intervistë në RTK.
Ai tha se lista e tyre zgjedhore përbëhet nga ekspertë të ndryshëm që kanë ardhur nga mërgata.




