Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur fushatën elektorale në Shkollën “Dardani” në Prishtinë. Para simpatizantëve, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, premtoi zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale dhe forcim të institucioneve shtetërore. Ai u zotua për rritje të buxhetit, duke theksuar se vlera e investimeve kapitale do të tejkalojë 1 miliard euro. Kurti shtoi se rritja ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e punësimit.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi para përkrahësve se qeverisja e ardhshme do të vazhdojë fokusin në zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale dhe forcimin e institucioneve shtetërore. Ai u zotua për rritje të buxhetit dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
“Në vitin 2021 ekonomia ishte 12 miliardë euro, ndërkaq buxheti i shtetit do të jetë 4 miliardë. Ne ia kemi shtuar ekonomisë së Kosovës çdo vit nga një miliard euro. Ekonomia është rritur për shkak të rritjes së eksporteve”, tha Kurti.
Kurti theksoi edhe investimet kapitale që pritet të realizohen gjatë qeverisjes së tij, duke bërë të ditur se vlera e tyre do të tejkalojë 1 miliard euro. Ai shtoi se rritja ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e punësimit.
“Asnjë vit nuk do të jetë me më pak se 1 miliard euro investime kapitale”, theksoi ai.
Po ashtu, Kurti përmendi edhe rritjen e pagës minimale, mbështetjen për gratë e papuna, nënat lehona, rritjen e shtesave për fëmijë, si dhe ngritjen e pensioneve. Ai premtoi gjithashtu investim prej 1 miliard eurosh në prodhimtarinë vendore.
“Barnat esenciale, vlera e mbështetjes së të cilave do të jetë mbi 100 milionë euro, 1 miliard euro do t’i ndajmë për prodhimtarinë vendore dhe 100 milionë euro për bizneset e diasporës”, tha ai.
Në këtë tubim, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja shpresë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.



