Kandidati për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, fushatën e radhës e mbajti në Vushtrri. Limaj, duke kërkuar votën e qytetarëve të Vushtrrisë, deklaroi se vota e tyre është vendimtare për ndryshimin politik në vend.
Gjatë një takimi elektoral, ai theksoi se mbështetja për Nismën Socialdemokrate do të sjellë ndryshime të mëdha në qeverisje dhe një qasje më të përgjegjshme ndaj interesit publik.
Limaj shtoi se kauza e partisë lidhet drejtpërdrejt me përfaqësimin në Kuvend, duke deklaruar se, pa praninë e Nismës Socialdemokrate në Parlament, nuk mund të ketë një ndryshim të vërtetë politik.
“Ka ardhur koha për një politikë normale, që ka ndjenjë dhe përgjegjësi ndaj vendit. Ne jemi këtu në funksion të familjeve tona dhe për një jetë”, tha ai.
Limaj u shpreh se Kosovës i mungon angazhimi serioz i njerëzve që shfrytëzojnë mundësinë për të bërë punë të mira në interes të qytetarëve. Ai tha se Nisma Socialdemokrate i afrohet elektoratit me respekt dhe me një ekip për të cilin është “jashtëzakonisht krenar”.
Sipas Limajt, ekipi i Nismës është i fokusuar në bashkëpunim dhe në ndërtimin e besimit, duke e cilësuar bashkimin si forcën kryesore për të sjellë ndryshim në qeverisje.
Në takim u prezantuan kandidatët për deputet nga kjo komunë, si dhe kandidatët tjerë nga komunat tjera.




