Kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit ishte shkaku i ndërprerjes së seancës fillestare për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit të kaluar. Në hetimin e rastit, përveç partnerëve evropianë të Kosovës, kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt edhe agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit. Të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë pasur lidhje të ngushta me strukturat shtetërore të Serbisë.
Kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu u bë shkak për ndërprerjen e seancës fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit. Arsyetimi i kësaj kërkese përfshin mungesën e veprimeve të ndërmarra gjatë fazës së hetimeve, si dhe mosadministrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.
“Prokurori i atëhershëm publik ka qenë Halim Burovci, por tani është zoti Kodraliu. Asnjë veprim nga provat që kam propozuar nuk është ndërmarrë. Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte dhe të bisedohet me katër persona, si dhe të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Kjo do të verifikonte në kohën kritike nëse Jovani ka pranuar sinjalin, gjë që do të tregonte se ku ka qenë”, tha Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq.
Kurse Millosh Deleviq, mbrojtës i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, theksoi se “në mënyrë të pakthyeshme është dëmtuar e drejta në mbrojtje e Dragisha Viqentijeviqit”.
“Kërkojmë që seanca të ndërpritet deri sa kryeprokurori të deklarohet për këtë kërkesë”, tha ai.
Ndërkohë, prokurori special Bekim Kodraliu, duke hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes, nënvizoi se ka fakte se sulmi ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur. Provat e deponuara vënë në pah komunikimet telefonike të të akuzuarve përmes sistemit telefonik të Serbisë, e cila vazhdon të mos bashkëpunojë, ndërkohë që hetimet janë zhvilluar me partnerët ndërkombëtarë.
“Kolegu Vllajiq ka qenë prokuror në sistemin jugosllav dhe besoj se e di kur mund të kërkohet ndërrimi i prokurorit në një rast penal. Kërkesa për përjashtim mund të bëhet nga pala e dëmtuar, familjari i të pandehurit, kujdestari ligjor, prindi i të pandehurit ose i dëmtuarit, ose nëse ka marrë pjesë si gjyqtar dhe ka konflikt interesi. Këto janë bazat për të larguar prokurorin nga procedura”, tha ai.
Gjyqtari Vesel Ismaili ndërpreu seancën deri në një vendim të Prokurorisë Speciale, e cila ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për veprat penale: rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerje e aktit terrorist, armëmbajtje pa leje dhe spiunazh.
Vëllezërit Viqentijeviq mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërsa Dimoviqi mbrohet në liri. Akti terrorist mbi kanalin e Ibër–Lepencit ka shkaktuar dëme në vlerë prej rreth 400 mijë eurosh.



