Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim ekipin e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve të BE-së (EEM) në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit që do të zhvillohen në Kosovë.
Në këtë takim , siç bëhet e ditur ekspertët e BE-së, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me Gjykatën Supreme gjatë këtij procesi.
“Ekipi në përbërje të Konrad Olszeëski, ekspert politik dhe njëkohësisht udhëheqës i ekipit dhe Eirini Skouzou, eksperte ligjore, diskutuan me kryetarin Rexhepi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Gjykatës Supreme në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se kreu i Supremes informoi ekspertët e BE-së, për hapat që janë ndërmarrë nga gjykata lidhur me zgjedhjet nacionale, duke theksuar gatishmërinë që Gjykata Supreme të shqyrtojë secilën ankesë të qytetarëve, kandidatëve për deputetë dhe subjekteve politike.
“Po ashtu, kryetari Rexhepi bëri me dije për ekipin e EEM-së, se gjatë dy palë zgjedhjeve paraprake të mbajtura këtë vit, Gjykata Supreme ka përmbushur me sukses mandatin e saj në garantimin e integritetit zgjedhor, duke shqyrtuar dhe vendosur brenda afateve ligjore për të gjitha ankesat administrative, të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)|, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme për këtë takim.




