Para përkrahësve të tij, në komunën e Lipjanit, kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se vendi ka nevojë për ndryshime e shpresë dhe se, sipas tij, shpresa e vetme që e këndellë Kosovën është LDK me planin qeverisës të saj.
Abdixhiku në Lipjan numëroi zotimet kryesore të LDK-së.
“Për secilin të posalindur në Kosovë në programin qeverisës do t’i marrë 2400 euro në vitin e parë në mënyrë që prindërit të kenë ballafaqim të lehtë të rritjes së fëmijëve që në fillim. Por jo vetëm për të posalindurit, çdo fëmijë i Kosovës nga mosha 1 deri moshën 16 vjeçare do t’i marrë nga 50 euro në muaj si formë e ndihmesës së familjes dhe fëmijëve të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
Nga Lipjani, Abdixhiku premtoi rritje pagash e pensionesh.
“Pensioni 150 nuk mjafton, do t’i dyfishojmë. 100 për qind rritje të pensioneve nga 150 euro në 300 euro për pensionistët e Kosovës e për çdo të ri se nuk do të ketë më të ri e të re që do të kryejë fakultetin e do të bredhë rrugëve. Shteti do t’iu garantojë punën për 6-12 muaj me 500 euro pagë për vitin e parë”, deklaroi Abdixhiku.
Duke kërkuar votën e banorëve te Lipjanit për LDK, tha se kjo parti është forca që e ka ndërtuar shtetin dhe sot ajo do të jetë sërish shpresa reale e vendit.




